Kosovarët agresivë me familjarët: Shumë raste të dhunës, viktima më së shumti gratë

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, për fat të keq është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të dhunës në familje. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. E arsyet e konflikteve janë të ndryshme, duke përfshirë dyshimet për tradhti, abuzimi me alkool, substanca narkotike  e bixhoz.

Gjatë ditës së djeshme dhe sot, janë raportuar shumë raste në rajone të ndryshme të Kosovës, e për disa prej tyre, Sinjali sjellë më poshtë detajet.

Për shkak të xhelozisë, një çift nga fshati Klinë e Epërme e Skenderajt, paraditen e djeshme kanë përfunduar në Polici. Sipas burimeve, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, gjë që ka bërë që 39-vjeçarja të denoncojë rastin në organet e rendit. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri.

Dhunë fizike e fjalë ofenduese ndaj gruas me të cilën zgjodhi të ndajë jetën, dyshohet të ketë përdorur edhe një burrë në fshatin Janjevë të Lipjanit. 40-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së saj, ndërkohë që në Polici ka rrëfyer gjithë ngjarjen. Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, por më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Ndihmën e Policisë e kërkoi edhe një vajzë 21-vjeçare nga fshati Lloshkobare e Ferizajt. Ajo denoncoi babain e saj për dhunë në familje, duke deklaruar se e gjithë kjo po ndodh për shkak të lidhjes së saj me një person e për çka 56-vjeçari nuk pajtohet. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  23 vjet e 9 muaj burgim për 13 ish-policët e veriut të akuzuar për korrupsion, 6 të tjerë lirohen nga akuza

Në mbajtje u dërgua edhe një qytetar i Gjakovës, i cili dyshohet se në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij. 54-vjeçari dyshohet se u ka kërkuar viktimave të dalin nga shtëpia dhe të njëjtat i ka fyer me fjalë të rënda.

Orët e vona të mbrëmjes së shkuar, u përcollën me konflikte në një familje në rrugën ‘Ismail Qemali’ në Klinë. Atje një person po dyshohet se e ka bërë për spital bashkëshorten e tij 28-vjeçare. Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmën e organeve të rendit. Motivi që dyshohet se i futi ata në konflikt, është fakti se viktima ka hezituar t’ia japë telefonin e saj të dyshuarit.  Babai i dy fëmijëve u arrestua dhe më pas u dërgua në mbajtje.

Me kërcënime serioze u përball mëngjesin e sotëm një burrë në Prishtinë. Ai denoncoi në Polici të birin, për të cilin thotë se ka sjellje agresive dhe i njëjti i ka kërcënuar se do i vrasë të gjithë e do i lërë ata pa koka. 22-vjeçari është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Më pas, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.

Dhuna ndaj gruas së tij, u bë shkak që një person në Prizren, po ashtu të përfundojë në pranga. 34-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 31-vjeçare dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar lidhur me atë që ka ndodhur. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje.

Lexo edhe:  Lirohet për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit, por ka një apel nga policia

Në Prizren po ashtu sot është regjistruar edhe një tjetër rast i dhunës në familje, ku sërish viktimë është një grua. 34-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime të dukshme trupore. Pas intervistimit lidhur me rastin në Polici, prokurori ka urdhëruar që ai të hetohet në liri.

Me dhunë brutale nga bashkëshorti i saj, është përballur sot edhe një grua në Mitrovicë. 36-vjeçari dyshohet se pas ofendimeve me fjalë të rënda, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes duke e goditur me grushte e shqelma në pjesë të ndryshme të trupit. 30-vjeçarja është dërguar në spital, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Problemet për një grua nga Fushë Kosova, nuk përfunduan as pas shkurorëzimit. 47-vjeçarja së fundi u detyrua ta denoncojë në Polici ish bashkëshortin e saj për dhunë, ku ka deklaruar se i njëjti e ka detyruar ta shes banesën e saj. 38-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor. Sinjali mëson se ai gjatë intervistimit ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, madje ka deklaruar se është ai i cili ka përjetuar dhunë fizike disa herë nga 47-vjeçarja. Më tej ai ka vazhduar rrëfimin e tij, duke bërë të ditur se arsyeja e ndarjes ka qenë se viktima nuk i ka dashur prindërit e tij. Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e ndalimit policor.

Kujtojmë që dhuna në familje në shumë raste ka përfunduar edhe me fatalitet. Lista me emrat e grave të vrara nga bashkëshortët e tyre, zgjatet nga viti në vit. E për këtë shumë shpesh janë fajësuar edhe institucionet e drejtësisë, për shkak se sipas raportimeve ndër vite, të gjitha viktimat, më parë kanë denoncuar dhunën ndaj tyre, mirëpo thirrja e tyre për ndihmë kishte hasur në vesh të shurdhër.

Lexo edhe:  Aksident me fatalitet në Gjilan: Goditet për vdekje një i ri

Rastet makabre të vrasjeve ndaj grave në të shumtën e rasteve janë përcjellë me protesta të shumta nga qytetarët e revoltuar.