Vrasje në tentativë në Ferizaj: Dy vëllezer rrahin dhe therin disa herë me thikë një 35-vjeçar
Mosmarrëveshjet e momentit mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Talinoc i Muhaxherëve në Ferizaj, ku dy vëllezër për motive ende të panjohura dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një person, të cilit i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Sinjali mëson se gjithçka ka nisur pas një konflikti verbal e që më pas dy të dyshuarit kanë goditur me mjete të forta viktimën dhe më pas njëri prej vëllezërve e ka goditur 35-vjeçarin me mjet të mprehtë disa herë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Qendrës Emergjente në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj kanë bërë me dije se viktima është dërguar atje me disa plagë që dyshohet t’i jenë shkaktuar me anë të goditjeve nga thika.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e 35-vjeçarit është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë arritur që t’i arrestojnë të dyshuarit dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.