Aksion i madh i policisë në Podujevë, arrestohen disa inspektorë të dyshuar për rrënimin e vilave në Orllan

Policia e Kosovës, konkretisht krimet ekonomike kanë nisur sot një aksion në komunën e Podujevës ku janë arrestuar disa inspektorë të kësaj komune.

Gazeta Infokus ka siguruar pamje nga stacioni i policisë në Prishtinë ku tashmë janë dërguar edhe inspektorët e arrestuar dhe në stacion gjendet edhe prokurori. Derisa tek stacioni gjendet edhe një autoambulancë.

Aksioni i policisë lidhet me rrënimin e vilave pa leje në Orllan, një aksion ky që ndodhi vitin e kaluar me 25 nëntor. Ky aksion ishte zhvilluar nga drejtoria e inspekscionit me asistencë të policisë së Kosovës.

Ndërsa pas një pauzë tre muajshe ky aksion i rrënimit të vilave në këtë pjesë të Podujevës nisi sërish me 24 shkurt të vitit 2023.

Në muajin nëntor kur kishte nisur rrënimi, zyrtarët komunalë kishin thënë se ky aksion përfshin tetë objekte pa leje të ndërtuara në zonën e dytë mbrojtëse në fshatin Orllan dhe se rrënimi bëhet pasi lëndët për këto objekte kanë kaluar nëpër të gjitha instancat shtetërore, përfshirë edhe gjykatat.

Në atë kohë ishte theksuar se në zonën e Orllanit janë gjithsej 59 vila apo objekte pa leje të cilat janë në faza të ndryshme.

Lexo edhe:  Rifat Jashari në Gllogjan: Kur të bëhen bashkë shqiptarët, arrihet amaneti i atyre që kanë rënë brez pas brezi