Punëtori i fabrikës “M & Sillosi” në Rahovec dërgohet me urgjencë në spital, u lëndua duke punuar

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë. Për një rast të lëndimit në punë që ka ndodhur në Rahovec gjatë ditës së sotme, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se një punëtor i fabrikës së miellit “M & Sillosi” në Xërxë të Rahovecit, derisa ka qenë duke punuar, i ka lënduar dy gishta të dorës, ku për pasojë ka marrë plagë, për çka u dërgua me urgjencë në spital.

Viktima, i moshës 42-vjeçare është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës, ku po merr trajtim mjekësor dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë në vendin e punës”.

Lexo edhe:  Burri që pavarësisë së Kosovës ia fali rininë dhe shëndetin, sot është lypës për kafshatën e gojës