Ky është i dyshuari që u kap në flagrancë me rreth gjysmë kg drogë në Veri

Një aksion i Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë i zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Veri ka rezultuar me sekuestrimin e gjysmë kg substancë narkotike marihuanë dhe arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës.

Sinjali raportoi sot se i dyshuari është ndaluar në orët e mbrëmjes te Kërrshi i Dudës në rrugën Mitrovicë – Leposaviq, ku u kap në flagrancë nga Policia, nën dyshimet se posedonte gjësende të kundërligjshme.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Hendrit Salihu, 23-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Sipas informacioneve të para, ai u ndalua nga Policia teksa ishte në lëvizje. Me rastin e kontrollit policor nuk u gjet asgjë e dyshimtë, por në afërsi të veturës së tij, zyrtarët policorë sekuestruan drogën, që i dyshuari e kishte hedhur, duke tentuar që t’iu shpëtojë prangave të Policisë.

Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Lexo edhe:  Si kishte ndodhur vrasja e mërgimtarit në Viti, çfarë thoshte babai i viktimës