Kompleksi i tij u shemb nga tërmeti, arrestohet ndërtuesi turk teksa donte të largohej nga vendi

Turqia ka arrestuar ndërtuesin Mehmet Yasar Coskun, ndërsa përpiqej të ikte jashtë vendit.

Sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu, ai kishte ndërtuar kompleksin e madh Ronesans Rezidans në Hatay, i cili u shemb plotësisht në tërmetin e së hënës.

Struktura masive, e përfunduar në vitin 2013, ishte 12 kate e lartë, kishte 250 apartamente dhe vlerësohej se kishte strehuar 1000 njerëz në kohën kur u shemb.

Sipas Hurriyet, biznesmeni u arrestua në aeroportin e Stambollit, ishte rrugës për në Mal të Zi dhe kishte para me vete në momentin e arrestimit.

Më herët ministri turk i Drejtësisë Bekir Bozdag, deklaroi se ka nisur hetimi ndaj ndërtuesve në rajonet e prekura nga tërmeti.

Në një konferencë për shtyp, ai shpreh kushdo që ka faj, apo që ka neglizhuar, do të dërgohet para drejtësisë dhe do të mbajë përgjegjësi, raporton a2news.

Kujtojmë se më shumë se 22 mijë persona kanë humbur jetën, sipas shifrave të deritanishme, nga tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën.

Lexo edhe:  LAJMI I FUNDIT: Arrihet marrëveshja, minatorët do të dalin nga Miniera për pak minuta