QKUK bëhet me tavolinë operimi, në mungesë të cilës mijëra pacientë u operuan në spitale private

Klinika e Ortopedisë në QKUK, për herë të parë, është pajisur me një tavolinë operative e cila dedikohet vetëm për rastet ku intervenohet në boshtin kurrizor.

Rastet me probleme spinale, në mungesë të saj, ishin trajtuar jashtë QKUK-së ku operacionet e tilla, sipas drejtuesit të kësaj klinike Gani Jashanica, kanë kushtuar nga 5 mijë deri në 20 mijë euro.

Vlera e kësaj tavoline, e cila është blerë nga ShSKUK-ja, është gati 80 mijë euro.

Mirëpo, drejtori Jashanica thotë se referime për këto probleme nuk do të ketë më, përveç në disa patologji të caktuara, si skolizoat dhe tumoret malinje, ngase ende nuk ka staf të trajnuar për to.

Ndonëse në këtë klinikë para tre vjetësh ishte blerë një tavolinë e re, ani se jo specifikisht për kirurgji spinale, në të këto raste nuk mund të punoheshin.

Jashanica tregon se shkak për këtë ka qenë kualiteti i dobët dhe mosstabiliteti i tavolinës.

Pas një bllokade gati 2 vjeçare të lëndëve tenderuese në OShP, kjo klinikë pritet shpejt të furnizohet edhe me materialet e duhura.

Lexo edhe:  Gjendet një autoblidë e grupit terrorist e braktisur në zonën malore në dalje të Banjskës