U evakuuan udhëtarët dhe personeli, alarmi për bombë në Aeroportin e Prishtinës ishte i rrejshëm

Një alarm për bombë është raportuar sot në Aeroportin e Prishtinës.
Kjo është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Por zëdhënësja e aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, tashmë ka njoftuar se pas veprimeve operative dhe hetimore nga organet kompetente del se kërcënimi me bombë ishte alarm i rrejshëm.

Gara tha se aeroporti  është i hapur për fluturime si dhe të gjitha fluturimet do të procesohen në mënyrë të zakonshme.

“Ju njoftojmë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës.Kjo ka rezultuar se kërcënimi me bombë ka qenë alarm i rrejshëm ‘Adem Jashari’ është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht”tha ajo.

Kurse zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për lajmi.net se rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në aeroportin “Adem Jashari”.

“Policia me njëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar situatën”,tha Ahmeti.

Kërcënime të ngjashme për bombë janë raportuar disa herë radhazi në Kosovë.

Javë më parë një alarm i tillë ishte dhënë në Aeroportin e Prishtinës, ku për orë të tëra aeroporti kishte qëndruar i mbyllur.

Alarme të tilla ka patur në vitin që shkoi edhe në stacionin e autobusëve e në vende të tjera.

 

 

Lexo edhe:  19 vjeçari nga Vushtrria tregohet brutal, e bën për spital një person - i hedh edhe sprej