S’ka rritje të pensioneve/ Pensionistët paralajmërojnë protesta
Çmimet e artikujve bazë në Kosovë janë rritur shumë, përderisa më të goditurit nga ngritja e çmimeve vlerësohet të jenë pensionistët.
Këta të fundit marrin pensione bazike prej 100 euro, të cilat vitin e kaluar janë rritur për 10 euro (11%) nga Qeveria “Kurti 2”, përderisa inflacioni në muajin qershor të këtij viti ka shkuar në 14.1 %. Për më tepër, artikujt bazë si: vajrat janë shtrenjtuar 54% për një vit, përderisa buka rreth 28%, etj.
Qeveria “Kurti 2” në mbledhjen e djeshme (të mërkurën) ka vendosur që t’i ndajë për stafin shëndetësor 5.5 milionë euro, duke ua rritur pagat për dhjetë për qind, përderisa asnjë cent nuk është ndarë këtë muaj për pensionistët.
Kryetari i Lidhjes së Organizatave Komunale të Pensionerëve të Kosovës, Njazi Gashi, thotë për Front Online se asnjëra qeveri nuk është duke e respektu ligjin.
“Jo vetëm kjo Qeveri, por edhe qeveritë para këtyre ju kanë hy shumë në hak pensionerëve, dhe jo me fajin e pensionerëve apo pjesës tjetër të popullatës, por për fajin e vet që nuk e respektojnë Ligjin, për skemat pensionale. Në ligjin për skemat pensionale thuhet që pensionet kanë mu rrit konform rritjes së inflacionit që ndodh në shtetin e Kosovës dhe rritjes së çmimeve, në asnjë rast nuk e ka ngrit prej vitit 2016, dmth po bëhen 6 vite që nuk e kanë ngrit asnjë cent pensionet, dhe ata nuk kanë nevojë me na dhënë pensionet, nuk kanë nevojë me na dhënë lëmoshë, ata duhet me respektu ligjin i cili është në fuqi.
Ani pse kanë bërë kërkesë, Gashi thotë se po i injorojnë.
“Ne i kemi dërgu kërkesa me respektu lijgin, ata nuk na kanë marrë parasysh, nuk na pranojnë në bisedime, ne kemi bërë kërkesë në formë zyrtare, me ia prezantu cështjen, ata nuk na pranojnë, na injorojnë”, tha ai për Front Online.
E për këtë, kanë menduar që të përdorin metoda të njëjta si sindikatat tjera.
Të dalin ta ngrisin zërin para Qeverisë.
“Ne vendime marrim, dhe unë dhe të gjithë pensionerët tjerë jemi duke prit edhe ca kohë, nëse ata nuk reflektojnë, na kemi me i përdorë të njëjtat metoda, qysh po i përdorin, arsimi, qysh po i përdorin shëndetësia, ne po presim deri të kalon ky pushim veror, nëse ata nuk reflektojnë ne kemi me i ndërmarr ata hapa”, thotë ai për Front Online.
Qeveria e Kosovës është përballë me greva e protesta, krejt kjo si shkak i Ligjit të ri të Pagave.
Këtë ligj Qeveria ende nuk e ka sjell për miratim në Kuvend, ndonëse nga ta është premtuar se një gjë e tillë do të bëhej deri në mars.