Arrestohen djemtë e Latif Gashit

Lindtrim dhe Fidan Gashi, dy djemtë e ish-deputetit të PDK-së, Latif Gashi, janë arrestuar pasditen e së mërkurës në Prishtinë, nën dyshimin për përfshirje në një përleshje fizike.

Dy djemtë e ish-zëvendësshefit të Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), dyshohet se u përfshin në një përleshje fizike në “Rrugën B” të kryeqytetit, ka mësuar Paparaci nga burime brenda organeve të sigurisë.

Ndalimin policor të Lindtrim Gashit e ka konfirmuar avokati Naim Rudari.

Rudari ka thënë se motivet e përleshjes në të cilën dyshohet se janë përfshirë dy djemtë e Latif Gashit, janë ende të paqarta.

“Incidenti ka ndodhë pasi ka ngjarë një aksident trafiku; domethënë nuk ka pasur motive apo diçka tjetër”, ka thënë Rudari për Paparacin.

Avokati Rudari ka thënë se prokuroria ende nuk ka caktuar masë ndalimi ndaj klientit të tij, Lundtrim Gashi.

Përleshjen te Rruga B, të cilën u përfshin katër persona, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, në një deklaratë për media të mërkurën.

“Nga informatat e para bëhet e ditur se në njërin nga aksidentet janë përfshirë dy vetura, ndërkaq për rrjedhojë disa persona janë përfshirë në rrahje pas aksidentit. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar për në stacion dy persona”, ka thënë Ahmeti.

Latif Gashi ka shërbyer në funksionin e deputetit të Kuvendit të Kosovës në dy legjislatura. Në të katërten dhe të pestën.

Nga zgjedhjet nacionale të vitit 2019, “Lata” nuk ka kandiduar më për një vend në kuvend.

Ai, vazhdon të jetë anëtar i PDK-së.

Lexo edhe:  Gjuajti me armë midis Skenderajt, Policia e gjen dhe arreston të dyshuarin