Policia kap në flagrancë dy të mitur në Mitrovicë, sekuestrohen dhjetëra monedha metalike false
Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen në vazhdimësi, ku është zbuluar se kartëmonedhat që raportohen më së shumti si të falsifikuara janë ato prej 50 dhe 100 euro, kurse monedhat metalike prej 2 euro.
Përveç rasteve që denoncohen, edhe Policia shpesh i kap të dyshuarit në flagrancë me dhjetëra e qindra euro, që dyshohet se i kanë për qëllim që t’i vënë në treg. Kështu ka ndodhur mbrëmë në Tavnik të Mitrovicës, ku Policia i ka ndaluar dy të mitur, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Burimet e Sinjalit thonë se pas kontrollit të dy të miturve, njëri 16 e tjetri 17-vjeç, Policia ua ka gjetur rreth 300 euro, në monedha metalike prej 2 eurosh, që dyshohen të jenë të falsifikuara. Paratë janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Falsifikim i parasë”.
Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.