Sherr në lokalin “Relax bar” në Klinë: 43-vjeçari i dehur e mbush armën dhe ia drejton një personi
Përleshjet brutale në lokale e kafeteri të ndryshme në vendin tonë janë mjaft të shpeshta. Kjo po ngrit shqetësim dhe po alarmon qytetarët që frekuentojnë hapësira të tilla, për sigurinë që ofrojnë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në lokalin “Relax Bar” në Volljakë të Klinës.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se konflikti që nisi mes dy personave për pak sa nuk përfundoi tragjikisht. Një i dehur dyshohet se e mbushi armën dhe e vendosi në tavolinën e viktimës, duke i shkaktuar atij shqetësim e frikë.
Për t’i ikur më të keqes, viktima ka tentuar të largohet nga lokali, por në ato momente i dyshuari ia ka drejtuar armën dhe rreziku se mund ta shkrepte ishte shumë i madh, çka e bëri dikë që ndodhej në lokal të intervenonte.
Disa dëshmitarë që ndodheshin në vendin e ngjarjes arritën që ta ndalonin të dyshuarin dhe e njoftuan Policinë.
Posa Policia intervenoi në vendin e ngjarjes, është konfiskuar arma, kurse i dyshuari është shoqëruar në stacion policor. Ndaj tij kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit për dy vepra penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”.