I riu injekton heroinën me shiringë, përfundon në QKUK – është përdorues i drogës që 8 vjet

Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Abuzimi me narkotikë nga të rinjtë vazhdon të  mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare dhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë është raportuar së fundmi në QKUK, ku një 33-vjeçar është shtirë në Repartin e Sëmundjeve të Varësisë, si pasojë e konsumimit të narkotikëve.

Burimet nga Klinika e Psikiatrisë kanë bërë me dije se pacienti po trajtohet në këtë repart pasi dyshohet se kishte injektuar heroinë përmes shiringës dhe për pasojë i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Viktima, i cili është përdorues i narkotikëve që 8 vjet, ka rrëfyer para Policisë në lidhje me rastin, që u denoncua nga spitali, pasi i riu u pranua për trajtim.

Pas përfundimit të procedurave nga ana e Policisë, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Posedim i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.”

Lexo edhe:  Halil Kastrati nis ndërtimin e shtëpisë së re për familjen 4 anëtarëshe