Aktivistët e PDK-së mbulojnë me dinarë të Serbisë ambasadorin Martin Berishaj
Aktivistët e Rinisë Demokratike të Kosovës kanë mbuluar me dinarë të printuar të Serbisë ambasadorin e Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, në shenjë proteste për aferën e madhe financiare që është përfshirë dhe tregtimin e energjisë me kompaninë GEN-I me seli në Beograd.
Aktivistët e PDK-së këtë aksion simbolik e kryen derisa Martin Berishaj po merrte pjesë në një aktivitet në Prishtinë.
“Ambasadori Martin Berishaj është paguar miliona euro nga GEN-I i Serbisë, para të cilat janë tërhequr dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar. Është e papranueshme dhe e pafalshme mbrojtja që po i bëhet ambasadorit Berishaj nga Kryeministri Kurti”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e PDK-së në Facebook.
Sipas partisë më të madhe opozitare, Ambasadori me aktakuzë Martin Berishaj nuk mund të jetë përfaqësues i denjë i Republikës së Kosovës në Kroaci, përkundrazi, sa të vazhdojë të jetë në detyrë ai do të dëmtojë seriozisht imazhin e Kosovës.
“Në Prishtinë ai duhet të vijë vetëm për t’u ballafaquar me drejtësinë dhe të jap llogari për skandalin në të cilin është përfshirë. E vërteta nuk do të mund të fshihet, përkundër mbrojtjes së pakuptueshme dhe të dyshimtë që po i bëhet, sado e madhe të jetë piramida e këtij skandali”, thuhet në njoftim.
Njëkohësisht, duke dënuar trajtimin jo demokratik dhe në kundërshtim me lirinë e shprehjes të Policisë gjatë arrestimit të aktivistit tonë Milot Krasniqi, PDK kërkon lirimin e menjëhershëm të tij.
“Sot është arrestuar personi i gabuar!”, thuhet në njoftim.