“Mos u kthe në banesë se e din çka të pret” – Djali kërcënon nënën e tij pasi nuk ia dha 400 euro
Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në fshatin Llapnasellë të komunës së Graçanicës.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar nëna e 27-vjeçarit e cila ka deklaruar se djali i saj është përdorues i narkotikëve dhe vazhdimisht ushtron dhunë psikike ndaj saj.
Së fundi ai ka kërcënuar nënën e tij të cilës ia ka kërkuar 400 euro para dhe i është drejtuar me fjalët ‘mos u kthe në banesë se e din çka të pret’.
Njësitet policore kanë arrestuar personin e dyshuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.