Dhunë në familje në Malishevë, burri e bën për spital bashkëshorten e tij

Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Ngucat të Malishevës, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 26-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se i shoqi ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj duke e goditur me shuplaka, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë aktivizuar që të arrestojnë të dyshuarin, mirëpo ai ishte larguar në drejtim të panjohur.

I dyshuari është kapur më vonë dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Vrasja në “Bon Vivant”, Qeveria sot pritet të marrë një vendim