Presidentja Osmani paralajmëron padi ndaj gazetarit Ridvan Berisha, thotë se shpifi

Presidenca e Kosovës i ka reaguar gazetarit, Ridvan Berisha, i cili ka pretenduar se presidentja, Vjosa Osmani “ka qenë e implikuar në rastin e Dejan Pantiqit”.

Sipas presidencës një deklaratë e tillë është shpifje e paprecedentë dhe se presidentja do të dorëzojë padi ndaj tij.

“Deklarata e sotme e Ridvan Berishës gjatë emisionit “Politiko” në Kanal 10, kinse Presidentja Osmani është implikuar në rastin “Pantiq”, është gënjeshtër, sajim dhe shpifje e paprecedentë”.

“Presidentja Osmani në asnjë rast dhe në asnjë situatë nuk interferon në punën e organeve të drejtësisë. Këtë NUK e ka bërë as në rastin “Pantiq”, thuhet në deklaratën e Presidencës.

Më tutje, presidenca thotë se liria e shprehjes është e garantuar por jo edhe shpifja.

“Ky model i takon të kaluarës. Presidentja punon me përkushtim për ta afirmuar Kosovën dhe për ta forcuar sundimin e ligjit dhe rendit”.

“Liria e fjalës është në funksion të të vërtetës, por jo të shpifjeve. Presidentja Osmani qysh nesër do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjor për këtë shpifje të Ridvan Berishës”, thuhet në reagim.

Lexo edhe:  NjRSh i kap në flagrancë dy 19-vjeçarë në Prishtinë, iu gjejnë armë e thikë