Zjarr te flotacioni ‘Trepça’ në Mitrovicë, përfshihet nga flakët një njësi

Në flotacionin ‘Trepça’ në fshatin Tunel i Parë të Mitrovicës, të shtunën në mbrëmje ka shpërthyer nja zjarr, që dyshohet të jetë shkaktuar nga persona akoma të paidentifikuar nga Policia. Një repart i flotacionit është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Siç merr vesh Sinjali, Policia bashkë me Zjarrfikësit kanë intervenuar në vendin e ngjarjes pak para orës 20:00, me ç’rast është bërë lokalizimi i zjarrit dhe fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Ekzaminimet janë kryer edhe nga eksperti i zjarrit dhe sipas informacioneve të para, faktori njeri dyshohet të ketë shkaktuar rrezikun, duke ndezur zjarrin.

Vlera e dëmeve ende nuk është përcaktuar, teksa për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit është iniciuar rasti si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, derisa të identifikohet personi apo personat e dyshuar.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “kushdo që me anë të zjarrit, vërshimeve, armëve, eksplozivit apo ndonjë mjeti tjetër vdekjeprurës, helmit ose gazit helmues, rrezatimit jonizues, forcës mekanike, me energji elektrike ose me ndonjë lloj energjie tjetër, ose me ndonjë veprim tjetër të rrezikshëm apo mjete të rrezikshme, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.

Lexo edhe:  Policia bastis një shtëpi në Rahovec, i mituri kapet me kallashnikov