Përleshje mes fqinjëve në Prishtinë, theret me thikë një person

Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpesh herë përfshihen edhe në përleshje fizike. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Si pasojë e një përleshjeje ku u përdor edhe thika, një person ka mbetur i plagosur mbrëmë në rrugën ‘Ndue Përlleshi’ në Prishtinë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 39-vjeçari është dërguar atje për ndihmë mjekësore për shkak të plagës që kishte marrë e të cilën dyshohet se iu shkaktua nga një mjet i mprehtë. Pas intervenimit të mjekëve gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë deklaratën e viktimës.

Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje me fqinjin e tij që lidhet me një aksident trafiku që ka ndodhur kohë më parë, me ç’rast takimi rastësor në rrugë mbrëmë doli të jetë i përgjakshëm për viktimën.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim trupor’.

Lexo edhe:  Nxirret i gjallë një person që ra në bunar në Shirokë të Suharekës