KFOR-i paralajmëron heqjen e barrikadave, por ka një “nëse”

Misioni i KFOR-it ka testuar kapacitetet e njësive të saj reaguese në kulmin e tensioneve në veriun e barrikaduar nga serbët. Ky mision ndërkombëtar thotë se është i gatshëm të ndërhyjë për të ofruar siguri dhe garantuar lirinë e lëvizjes në pjesën veriore të vendit. Njohës të çështjeve të sigurisë kërkojnë nga KFOR-i që të mos vazhdojë tolerimin barrikadave dhe mirëmbajtësit e armatosur të tyre.

Efikasiteti i këtyre mjeteve të rënda të KFOR-it është testuar hiç më larg se dy ditë më parë.

Ushtrimet e 19 dhjetorit i kanë mundësuar këtij misioni të NATO-s në Kosovë për të qenë gati për reagim në rast se barrikadat nuk largohen nga veriu dhe vendoset për ndërhyrje.

KFOR-i ka thënë gjatë së mërkurës që është duke pritur një marrëveshje për largimin e barrikadave.

“Për shkak të kompleksitetit të mjedisit aktual operativ, është thelbësore që këto sisteme dhe aftësi të testohen pasi ato zbusin rrezikun kolektiv nëse marrëveshjet e ardhshme politike nuk mund të përmbushen. Ka shumë aktorë në terren të përkushtuar për të bërë përparim, por KFOR-i mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të reaguar. Ne jemi të përgatitur të ndërhyjmë, nëse është e nevojshme, por ne parandalojmë përshkallëzimin, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, ka thënë KFOR-i.

Çdo orë tutje e kaluar me barrikada është e tepërt, sipas Kadri Kastratit.

Gjenerali ushtarak në pension kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të KFOR-it për të rikthyer lirinë e lëvizjes rrugëve të veriut.

Shtimin e prezencës së tij në Jarinjë, dhe bashkëpunimin me institucionet në Kosovë dhe Serbi, KFOR-i e ka vlerësuar të suksesshëm në parandalimin e cenimit të sigurisë nga persona të armatosur.

Ky mision ka treguar se është akoma duke analizuar kërkesën e Serbisë për rikthimin e trupave ushtarake dhe policore të saj në Kosovë.

Lexo edhe:  Arrestohen dy të mitur në Skënderaj, gjatë kontrollit u gjendet armë, fishekë, thikë e boks hekuri

“Aktualisht jemi duke analizuar kërkesën e fundit të Qeverisë së Serbisë. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes që inkurajon dialogun produktiv, duke u dhënë udhëheqësve aftësinë për të krijuar zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, ka shtuar KFOR-i.

Kërkesa e Serbisë për të rikthyer trupat e saj në Kosovë erdhi pas barrikadimit të veriut nga grupe kriminale serbe.

Qeveria e Kosovës ka thënë se i ka dhënë KFOR-it kohën e kërkuar për të siguruar lirinë e lëvizjes në komunat veriore.