Shkodranja në Prishtinë: Ish-bashkëshorti po më kërcënon se do ma vrasë djalin

Më 18 shtator të vitit 2005 jeta e Bashkime Sylejmanit nga Bushati i Shkodrës do të merrte kthesë. Kjo ishte dita kur ajo pretendon se familja e saj e shiti për 6 mijë euro te Ahmet Gërxhaliu nga Kosova.

Me Ahmetin, i cili ishte 37 vjet më i vjetër, ajo bashkëjetoi në një banesë në lagjen Dardania të Prishtinës, deri në vitin 2009, kur solli në jetë djalin e tyre.

Mosmarrëveshjet që kishin nisur më parë, u thelluan, kur Bashkimja pretendon se Ahmeti e ka kërcënuar se do ia marrë të birin ose do e vrasë.

Më 10 janar të 2014-ës,  ajo bashkë me djalin u vendosën në shtëpinë e Ahmetit në Lagjen Mati 1, ndërsa ai shkoi në banesën e tij në Lagjen Dardania, pasi që gjykata caktoi urdhër mbrojtje për Bashkimin që Ahmeti të mos i afrohej.

Pasi që prishën marrëveshjen për bashkësi jashtëmartesore, Bashkimja akuzon Ahmetin se ia ka ofruar 100 mijë euro dhe një banesë në këmbim të fëmijës së tyre të përbashkët.

Pasi oferta e tij u refuzua, Ahmeti kishte bërë në gjykatë kërkesën për ‘marrjen e besimit të fëmijëve’, me pretendimet se Bashkimja vuan nga problemet psikike.

Madje, për këtë Bashkimja akuzon edhe psikolgen Shqipe Ukshinin, e cila sipas saj, ka pranuar ryshfet nga Ahmeti për të pohuar deklaratat e tij.

KIKS Kosova ka kontaktuar me Ukshinin, por e njëjta refuzoi që të prononcohet për këtë rast, duke deklaruar shkurt se nuk nuk do ta dëmtonte kurrë një fëmijë për interesin e saj personal.

Pretendimet se Bashkimja vuan nga problemet psikike u hodhën poshtë nga ekspertiza psikiatrike.

Kësisoj, gjykata vendosi në favor në Bashkimes, që ajo të marrë përfundimisht të drejtën e prindërimit të djalit.

Lexo edhe:  Bie bora e parë në Zvicër, e bllokon një qytet - i zuri në befasi të gjithë

Çekiçi i gjykatës që mbylli çështjen e besimit të fëmijës, nuk i mbylli konfliktet mes Ahmetit dhe Bashkimes.

Tash, ajo pretendon se Ahmeti filloi kërcënimet për t’ia liruar shtëpinë dhe pronën, ku po jeton me djalin e saj që nga 2014-ta.

Ajo ka frikë se një ditë, Gërxhaliu do ta vrasë djalin e tyre të përbashkët, kërcënim të cilën thotë se e ka bërë edhe gjatë muajit nëntor, kur i ishte afruar shtëpisë, duke e thyer urdhërin e mbrojtjes.

Bashkimja apelon organet e sigurisë dhe drejtësisë që të kujdesen për sigurinë e djalit të saj. E vetmja gjë për të cilën kanë nevojë sot Bashkimja dhe i biri i saj është një shtëpi e sigurt.