Pronari i harroi çelësat brenda, ia vjedhin veturën në parkingun e Viva Fresh
Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Një rast i tillë i vjedhjes ka ndodhur edhe mbrëmë në parkingun e marketit ‘Viva Fresh’ në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime.
Rastin në Polici e ka denoncuar një 32-vjeçar, i cili ka deklaruar se gjatë ditës së djeshme e ka parkuar veturën e tij në këtë parking, por që nuk e ka gjetur aty pas kur ka shkuar në mbrëmje.
Këtë herë hajni e ka pasur më të lehtë për ta vjedhur, pasi siç mëson Sinjali, pronari i kishte lënë çelësat brenda veturës e madje edhe dera nuk ka qenë tërësisht e mbyllur.
Pas denoncimit të rastit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, për të mbledhur prova që mund të ndihmojnë në zbulimin e personave të dyshuar për rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë,” teksa ka urdhëruar Policinë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.