“Barrikadat pritet të hiqen deri në fundjavë”
Për të gjashtën ditë me radhë, disa serbë në veri të Kosovës po vazhdojnë të bllokojnë rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.
Vendosja e barrikadave nga disa serbë lokalë u nxit nga arrestimi i ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Kosova thotë se ai dyshohet për “sulm terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri, më 6 dhjetor.
Situata në barrikada është e qetë.
Shkollat fillore dhe të mesme, në veriun e banuar me shumicë serbe, e që funksionojnë sipas sistemit serb, janë të mbyllura që nga e hëna, sikurse edhe objektet e hotelerisë.
Por është Fatmir Sheholli drejtori i institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike, i cili thotë se barrikadat në këto rrugë të Kosovës mund të largohen më së largu gjatë vikendit.
“Në bazë të informacioneve që i kemi si Institut pas takimit Vuçiq – Eskobar dje në Beograd pritet që deri në fundjavë serbët lokal të veriut vet t`i heqin barrikadat”, thotë ai.