Hajnat bëjnë “kërrdi” në një shtëpi në Gjakovë, vjedhin armë dhe stoli në vlerë prej 2 mijë e 500 euro

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Përveç të hollave, hajnat shpesh ia mësyjnë edhe gjësendeve me vlerë,  që nuk zgjedhin formë e as metodë për t’i kapur. Kështu ka ndodhur së fundmi në një shtëpi në fshatin Dol të Gjakovës.

Këtë herë, një person arriti që të depërtojë brenda një shtëpie në këtë fshat, ku vodhi një armë, vlera e së cilës është mbi 1 mijë e 500 euro dhe arriti të ikë pa lënë ndonjë gjurmë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur për Sinjalin se rasti u denoncua në Polici nga pronari i shtëpisë, i cili gjatë ditës së djeshme raportoi se shtëpia e tij ishte cak i vjedhjes. Bazuar në dëshminë e tij të dhënë para hetuesve policorë kuptohet se ai e zbuloi rastin pasi e kontrolloi vendin ku e kishte lënë armën në dhomë, të cilën nuk e gjeti më aty.

Sinjali mëson se përveç armës, viktima ka deklaruar se hajnat ia kanë vjedhur edhe disa stoli të arit, që kapin vlerën e rreth 1000 eurove.

Pasi është denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, teksa me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Vdes biznesmeni dhe afaristi i njohur mitrovicas, Imer Sadiku