Petkoviç kritikon opozitën serbe: Jeni bërë më Albin Kurtin
Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviç, nuk mund ta besojë se opozita në Serbi e kritikon më shumë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç’in sesa kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
“Është e pabesueshme që kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i janë kursyer kritikat nga opozita serbe dhe se qeveria në Serbi po përballet me kritika për përpjekjen për të larguar rrezikun për popullin e saj”, ka thënë ai, transmeton N1.
Petkoviç, i cili shërben si korrier personal i Vuçiç’it, vlerësoi se këto kritika nga opozita serbe burojnë nga, siç u shpreh ai, “urrejtja patologjike” ndaj presidentit serb.
“Paaftësia e një pjese të opozitës serbe për të parë seriozitetin e situatës në të cilën ndodhet populli serb në Kosovë, kombinuar me urrejtjen patologjike dhe mosbesimin ndaj Presidentit të Serbisë, rezultoi në një sërë deklaratash të pakuptimta”.
Ndërkaq, sipas tij, me marrëveshjen në Bruksel, komuniteti ndërkombëtar “më në fund e ka kuptuar se kush është burimi i vazhdueshëm i destabilitetit në Kosovë”.
“Falë presionit të ushtruar ndaj Kurtit, jo vetëm që u shmang një përkeqësim dramatik i situatës në terren, por edhe qytetarëve tanë në veri iu mundësua që të vazhdojnë përdorimin e automjeteve të regjistruara me targa serbe”, përfundoi ai.
Ndryshe, pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, është nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kosova u pajtua që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale ndërsa Serbia ishte pajtuar që të mos lëshojë targa të reja me inicialet “KM., PZ.,” e të ngjashme.
“Kemi marrëveshje”, shkroi krye-diplomati evropian, Josep Borrell në Twitter, kur njoftoi arritjen e pajtimit.
“Shumë i kënaqur të njoftoi se krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur marrëveshje për masat që shmangin eskalimin e mëtejshëm dhe do të koncentrohen krejtësisht në propozimin për normalizim raportesh”, thuhej në njoftim.
Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba, tabela provuese dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.
/Albanianpost.com