Kërkuan të lirohen nga paraburgimi, Gjykata e Apelit e refuzon – i vazhdohet paraburgimi infermiereve

Sipas arsyetimit të Gjykatës së Apelit, që e ka siguruar televizioni, Gjykata Themelore e Pejës vendosi drejt kur infermiereve të dyshuara për sulm ndaj të moshuarës, M.N., iu shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, më 3 nëntor.

Sipas, vlerësimit të gjykatës, konform nenit 187, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 i KPP-së, nëse njëra nga infermieret gjenden në liri, ekziston rrëziku i ndikimit te dëshmitarët të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende.

Po ashtu, të njëjtat, sipas gjykatës, mund të ndikojnë edhe te e dëmtuara që për rastin që i ka ndodhur nuk është deklaruar ende për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Edhe më të domosdoshëm këtë masë të paraburgimit, sipas Apelit, e bënë ndikimi që infermieret mund ta bëjnë të kolegia e tyre G.N, që është dëshmitarja e vetme e drejtpërdrejtë e ngjarjes.

Për sulmim fizik ndaj të moshuarës në qendrën për të moshuar “Orenda” në Pejë, Prokuroria Themelore ka angazhuar dy prokurorë, të cilët po hetojnë edhe dyshimet nëse në këtë qendër ka pasur raste të tilla edhe më parë.

Kujtojmë, se rasti i sulmit ndaj të moshuarës, pati reagime të shumta përfshirë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, derisa në Gjakovë edhe u protestua.

Me vendim të Ministrisë së Punës, qendra “Orenda”, qëndron e mbyllur, nga 7 nëntori.

Lexo edhe:  Kërkohet të rishqyrtohet vendimi i Komunës së Vushtrrisë, qytetarët për një bukë po udhëtojnë në qytete tjera