28 vjet më parë Kosova u bë me UÇK

17 nëntori i vitit 1994 mbetet një datë e shënuar e historisë së lavdishme të Kosovës.

Në Aarau të Zvicrës, kryesia e Lëvizjës Popullore të Kosovës mori disa vendime goxha të rëndësishme që do të trasonte rrugën për çlirimin e Kosovës.

28 vjet më parë, një nga protagonistët kryesorë rrëfeu për klankosova.tv për zhvillimet në mbledhjen e LPK-së.

Gafurr Elshani, tha se në këtë mbledhje u mor vendim që njësitet të armatosura të cilat kryenin aksione të armatosura në Kosovë, të kalonin në një nivel më të lartë të organizimit.

Elshani tha se aty u vendos edhe emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK] e po ashtu që të dilet me komunikatën e parë me numër 11.

“Kemi të bëjmë me një vendim të kryesisë së LPK-së, e cila pas analizave se janë pjekur kushtet që të merren përsipër aksionet e armatosura të UÇK-së, dhe tani struktura ushtarake nga njësitet e armatosura të ngritët në nivel të ushtrisë, ka nxjerr vendimin që njësitet e armatosura të cilat kryenin aksione të armatosura në Kosovë të kalonin një nivel më të lartë ushtarak, pra në Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës”, tha Elshani.

“Në këtë mbledhje është marrë vendim po ashtu që të kalohet në organizim më të lartë në nivel ushtrie, që të quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që të dilet me komunikatën e parë e cila do ta ketë numrin 11, që ajo të shtypej me një makinë të thjeshtë dhe pastaj këto komunikata të lëshohen nga qyteti i Shkupit”, theksoi ai.

“Ky vendim është marrë nga pesë anëtarët e kryesisë së LPK-së: kryetar Fazli Veliu, sekretar Emrush Xhemajli, përgjegjës financiar Gafurr Elshani, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, anëtarë të kryesisë dhe anëtarë të sektorit të veçantë. Normalisht këto vendime janë marrë në konsultim brenda dhe jashtë vendit”, shtoi Elshani.

Lexo edhe:  “Na kanë gjuajtur me gajbe të birrave e gurë”- flet njëri nga sulmuesit e Valon Sylës

Por, ishte dikush që propozoi që ushtria që do ta çlironte Kosovën të quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, tha për Klankosova.tv se ishte ai i cili e ka bërë propozimin dhe që ishte miratuar në mbledhjen e LPK-së.

“Propozimin e kam bërë unë dhe është miratuar në mbledhjen e LPK-së më 17 nëntor 1994”, tha shkurtimisht Haliti për Klankosova.tv