Rreth 25 mijë familje në Kosovë jetojnë me 1,13 euro për anëtar në ditë

Rreth 25 mijë familje në Kosovë të cilat përfitojnë nga skema sociale jetojnë me 1,13 euro në ditë për anëtar, ka thënë Vehbi Mujku, shef i zyrës për Punë Sociale në Prishtinë.

Mujku ka thënë të martën në “Sot” të KTV-së, se nëse merren parasysh të dhënat e organizatave si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, se jetesa me 1,86 euro në ditë për anëtar konsiderohet varfëri e skajshme, nënkupton se këto mijëra familje në Kosovë jetojnë në varfëri të skajshme.

“Jemi duke jetuar në një varfëri. Kemi rreth 25 mijë familje në nivel të Kosovës, 1,265 familje vetëm në Prishtinë që varen drejtpërdrejtë nga asistenca sociale dhe jetojnë me 1,13 euro në ditë për një anëtar. Ne e dimë se cila është kostoja e jetës sot edhe të dhënat që paraqiten nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e po ashtu organizata të tjera, dhe ku thuhet se 1.86 euro konsiderohet varfëri e skajshme, kjo nënkupton se rreth 25 familje në Kosovë janë në varfëri të skajshme”, ka thënë Mujku.

Sa i përket familjeve me asistencë sociale në Prishtinë, Mujku ka thënë se gjatë sezonit të dimrit komuna po mundohet t’i ndihmojë ato rreth shpenzimeve për ngrohje.

“Familjet me asistencë sociale, diku rreth 1 mijë familje po tentojmë t’ju ndihmojmë me përkrahje shtesë diku rreth 250 euro në emër të ngrohjes sepse e dimë se ata shpenzimet e rrymës i kanë edhe më të mëdha sesa familjet e tjera, sepse i kanë kryesisht shtëpitë e paizoluara”, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Ky është serbi që u arrestua sot në Prizren