Persona të panjohur me prejardhje nga Rusia e Republika Serbe, po shfaqen në veri të Kosovës

Një person i veshur në të zeza, në ato që njihen si rroba taktike me një çantë krahu shihet në këtë foto tek lëviz në afërsi të Zveçanit.

Në shikim të parë duket gjithçka normale, por në fakt asgjë nuk është e tillë. Në njërin krah të tij, është i vendosur flamuri rus, ndërsa në tjetrin simboli i një shqiponje që po ashtu është shenjë identifikuese ruse.

Një foto e tillë është shfaqur në disa rrjete sociale, ndërsa menjëherë i ka vënë në lëvizje agjencitë e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Burime të sigurta brenda organeve të sigurisë në Kosovë, kanë konfirmuar për Radio Televizionin Dukagjini, se persona të tillë që janë shfaqur ditët e fundit ka në gjithë zonën Veriore të Kosovës.

Në verifikimin që kanë bërë këto organe të sigurisë ka rezultuar se këta persona kanë ardhur së fundi në territorin e Republikës së Kosovës.

Por, nga është prejardhja e tyre?

Këto burime të sigurta brenda organeve të sigurisë, kanë bërë me dije për RTV Dukagjinin se disa nga këta persona kanë prejardhje ruse dhe kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Qëllimi i tyre sipas këtyre burimeve agjencive të sigurisë, është shkaktimi i incidenteve në Veri të Kosovës veçanërisht në këtë kohë, kur po përflitet me të madhe nga ana e partnerëve ndërkombëtarë, mundësia e arritjes së një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Numri i këtyre personave që kanë për qëllim të nxisin destabilitet në Republikën e Kosovës shkon rreth 300.

Pos atyre  me prejardhje nga Rusia një numër goxha i madh i këtyre personave disa prej të cilëve edhe janë fotografuar dhe identifikuar nga agjencitë e sigurisë së Republikës së Kosovës, vijnë edhe nga Republika Serbe.

Lexo edhe:  Dalin fotot nga përgatitjet, zbulohet vendi se ku do të bëjnë celebrimin e martesës Kiara me Luizin