Arrestohet mërgimtari nga Bajgora e Mitrovicës, kërcënoi dhe tentoi ta sulmonte Berat Buzhalën

Gazetari Berat Buzhala ka bërë të ditur se personi që e kishte kërcënuar dhe kishte tentuar ta sulmonte fizikisht një ditë më parë, është arrestuar nga Policia.

Siç mëson “Jepi zë”, bëhet fjalë për Ilmi Ibishin, një mërgimtar që jeton dhe vepron në Munih të Gjermanisë, me prejardhje nga Bajgora e Mitrovicës.

Buzhala ka njoftuar se është kontaktuar edhe nga avokati mbrojtës i të dyshuarit, ndërsa ka shprehur keqardhje për situatën që, sipas tij, po e përjeton familja e personit të arrestuar.

“Sigurisht që më vjen keq kur një personi agresiv ia sheh sherrin krejt familja. Gjithashtu, prej shumë njerëzve kam mësu që familja e tij është familje e nderuar në Shalë të Bajgorës”, ka shkruar ai.

Tutje, ai theksoi se secili duhet të përballet me pasojat e veprimeve të veta.

“Edhe ne që punojmë dhe jetojmë kemi familje. Edhe familjet tona shqetësohen”, u shpreh Buzhala.

Në fund, gazetari përgëzoi Policinë dhe Prokurorinë për, siç tha ai, efikasitetin e treguar në këtë rast.

Lexo edhe:  Një 35-vjeçar turk arrestohet në Morinë, po kërkohej nga Gjermania për vjedhje dhe plagosje