“Do ta vras fëmijën” – burri kërcënon bashkëshorten, i publikon foto intime në Snapchat dhe arratiset në Shqipëri

Një rast tronditës i dhunës në familje është raportuar në Pejë, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për kërcënime serioze dhe publikim të fotografive intime në rrjete sociale.

Ngjarja ka ndodhur më 22 prill 2026, rreth orës 08:00, në rrugën “Mulla Agani”, ku viktima me inicialet E.R. është paraqitur në Stacionin Policor për të raportuar rastin.

Sipas deklarimit të saj, ajo është e martuar prej katër vitesh me të dyshuarin G.J. dhe kanë një djalë 8 muajsh. Kohëve të fundit, raportet mes tyre janë përkeqësuar, ndërsa ajo ka bërë të ditur se bashkëshorti e ka kërcënuar me fjalët se do t’ia vriste fëmijën.

Përveç kërcënimeve, viktima ka raportuar se i dyshuari ka publikuar fotografi intime të saj në rrjetin social Snapchat, duke i shkaktuar dëmtim të rëndë të imazhit dhe privatësisë.

Ajo ka deklaruar se nuk ndihet e rrezikuar fizikisht për momentin, por ka shprehur shqetësim për pasojat që mund të sjellin kërcënimet dhe publikimi i materialeve intime.

Sipas informatave, i dyshuari aktualisht ndodhet në Republikën e Shqipërisë, ku edhe punon.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa hetimet janë në vazhdim për ndriçimin e plotë të rastit.

Lexo edhe:  Dy bijtë e Liridona Ademajt kanë udhëtuar sot drejt Suedisë, merren në përkujdesje të shtetit