Lirohet nga burgu i Smrekonicës Vesel Gjinovci, i dënuar me 9 vite për vrasjen e një polici

Ka përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim Vesel Gjinovci, i dënuar për vrasjen e policit Shemsi Gashi, në lagjen Mati 1 në vitin 2015.

Gjinovci është liruar të shtunën e 14 marsit, tregon video të cilën e ka siguruar Paparaci.

Ai ishte duke e vuajtur dënimin në Qendrën e Korrektuese në Smrekonicë.

Vesel Gjinovci ishte dënuar me nëntë vjet burgim pasi kishte pranuar fajësinë për vrasjen e policit Gashi.

Përpos tij, për vrasjen e policit Gashi ishin dënuar edhe pesë persona tjerë.

Ramadan Gashi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 25 vjet burgim për shtytje në vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Kujtim Beqi ishte dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasje e rëndë.

Gjykata po ashtu për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes e kishte dënuar të akuzuarin Vesel Bunjaku, me burgim prej 7 vjetësh, kurse për armëmbajtje pa leje, ai është dënuar me burgim prej 1 viti. Bunjaku nga gjykata ishtre dënuar me dënim unik prej 7 vjetësh e 6 muaj burgim.

Për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes nga gjykata me 4 vjet burgim ishte dënuar edhe i akuzuari Adonis Gashi.

Robert Gashi ishte dënuar me 3 vjet burgim për moslajmërimi i veprës penale dhe kryerësve të saj, kurse Agron Gashi, dhe Muja Gashi ishin liruar nga vepra penale shtytje në vrasje të rëndë, pasi që sipas trupit gjykues, prokuroria nuk kishte arritur të provojë me prova se të akuzuarit janë fajtorë.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave në vitin 2015, shumica prej tyre familjarë të të ndjerit Shemsi Gashi.

Vesel Gjinovci dhe Kujtim Bejiqi akuzoheshin nga prokuroria për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Lexo edhe:  Valon Syla: Gërvalla me laps të bastores po i jep urdhra NATO’s e BE’së

Gjinovci e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar dhe i kishte kërkuar falje familjarëve të të ndjerit, ndërsa në fillim të muajit shkurt të vitit 2018, trupi gjykues kishte vendosur që të bëjë revokimin e vendimit për pranimin e fajësisë, ku i është mundësuar edhe dhënia e mbrojtjes të akuzuarit para trupit gjykues.

Sipas prokurorisë, arsyeja që kishte çuar deri te kjo vrasje ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit, konkretisht për një parcelë, pronësore prej 40 ari, në “Lagjen e Spitalit”, në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku kishin shkuar në Brezovicë, ku kishin planifikuar vrasjen e rreshterit Gashi.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Vesel Gjinovci e kishte njoftuar Ramadan Gashin se pas bisedës me Adonis Gashin, ka pranuar që ta kryejë vrasjen, ndërsa Ramadani i kishte premtuar si shpërblim 5000 euro, kurse me automjetin e tij e dërgoi Gjinovcin deri te shkolla e lagjes “Mati”, duke ia treguar orarin e punës së Shemsi Gashit dhe rrugën nëpër të cilën udhëtonte ai.