Rrahmani: Kurti është i vetmi kryeministër që pas më shumë se 10 vitesh, pranoi të zbatoi vendimin e gjykatës kushtetuese që t’ia japë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit
Deputeti i PDK, Eman Rrahmani, ka kritikuar qeverinë e Albin Kurtin lidhur me vendimin për 24 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit.
Ai vlerëson se Kryeministri e pranoi tokën, por paralajmëron se vendi po rrëshqet drejt autoritarizmit, duke përdorur presion dhe propagandë për të ndryshuar deklaratat zyrtare.
Postimi i plotë:
E kam thënë edhe më herët, Kryeministri Kurti është i vetmi kryeministër që, pas më shumë se 10 vitesh, pranoi të zbatoi vendimin e gjykatës kushtetuese që t’ia japë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, që udhëhiqet nga Kisha Ortodokse Serbe në Beograd.
Për mua më i rëndësishëm është fakti që e pranoi ta japë tokën, sesa arsyetimet që u dhanë më pas qoftë për hatër të Rashiqit apo për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Por problemi serioz është edhe diçka tjetër.
Prej kohësh po paralajmëroj se vendi është duke rrëshqitur drejt një autoritarizmi të plotë. Këtë e tregon qartë zinxhiri i dy veprimeve:
Dje, zëdhënësi i Qeverisë deklaroi se Rashiqi paska ngatërruar deklaratën.
Sot, vetë Rashiqi doli dhe tha se ishte “ngatërrim deklarate”. Kjo ngjan më shumë si detyrim apo presion për ndryshim deklarate, duke marrë parasysh reagimin e madh popullor.
Për një çështje për të cilën Nenad Rashiqi dhe Lista Serbe kanë jetuar dhe punuar për vite të tëra për ta arritur si sukses, a është kjo një pasqyrë e qartë e asaj që po ndodh? .
Deklaratën e Rashiqit e kemi parë me figurë dhe me zë. Madje ai shpjegonte se si kryeministrat e tjerë nuk e kishin zbatuar atë vendim.
Propaganda është mjeti që përdoret për ta ndryshuar të vërtetën në sytë e popullit.

