Varroset punëtori i KEK-ut që u shkel nga kamioni në vendin e punës, familja e fal gjakun
Në një atmosferë të rëndë dhimbjeje, sot iu dha lamtumira e fundit punëtorit të Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Mixhen Sadikut, i cili humbi jetën tragjikisht pasi u shkel nga kamioni në vendin e punës, shkruan “Jepi zë”.
Mijëra qytetarë nga Obiliqi, Vushtrria dhe anembanë Kosovës morën pjesë në ceremoninë mortore, duke shprehur respektin dhe solidaritetin me familjen Sadiku dhe me kolegët e tij.
Mixhen Sadiku u varros në vendlindjen e tij, në fshatin Sibovc, mes lotësh dhe dhimbjeje të thellë. Fshati u mbulua me zi, por edhe me krenari për birin e tij.
Në Sibovc ndodhi edhe një akt i madh njerëzor dhe kombëtar: familja Sadiku shtriu dorën e pajtimit ndaj familjes Shala nga Vuqaku i Drenasit, duke falur gjakun. Ky gjest burrëror preku thellë të pranishmit, duke e kthyer dhimbjen në një mesazh paqeje, pajtimi dhe shprese.
Në emër të Sindikatës së Re të KEK-ut dhe rreth 4 mijë punëtorëve, kryetari Xhelal Jashari shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Sadiku dhe për të gjithë kolegët që humbën bashkëpunëtorin e tyre.

