Dhunë në familje në Fushë Kosovë – E rrah dhe e kërcënon të dashurën, i dyshuari në arrati
Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar pasditen e së martes në Fushë Kosovë, ku një grua ka përfunduar në Polici pasi dyshohet se është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj.
Ngjarja ka ndodhur më 24.02.2026, rreth orës 17:00, në rrugën “17 Shkurti”, mbrapa marketit “Viva Fresh Store”. Viktima, S. K rreth 33 vjeç, ka kërkuar ndihmë në stacionin policor, duke raportuar se është dhunuar nga i dashuri i saj, B. Z 42 vjeç, me të cilin është në lidhje tash e rreth dy vite.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë takuar të dëmtuarën, e cila është shoqëruar për intervistim në stacion, ndërsa i dyshuari ishte larguar paraprakisht dhe aktualisht ndodhet në arrati.
Gjatë deklarimit, viktima ka bërë të ditur se i dyshuari fillimisht e ka kanosur me fjalë, më pas e ka goditur me shuplakë në qafë dhe e ka shtyrë me duar, duke e rrëzuar në krevat.
Burimet nga struktura të afërta me hetimin bëjnë me dije se për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar për dhunë në familje, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Dhuna në familje”.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa Policia është në kërkim të të dyshuarit.

