Tarifë 3 euro për familjarët e pacientëve, flasin nga QKUK: Nga pagesa e shoqëruesit përjashtohen pacientët deri në 15 vjet dhe ata me sëmundje maline

Familjarët e pacientëve të shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përveç barnave dhe shpenzimeve ekstreme me të cilat përballen gjatë trajtimit të tyre, tashmë do të kenë edhe një barrë tjetër.

Gjatë gjithë qëndrimit të pacientit në QKUK, me të detyrohet të qëndroj një shoqërues për shkak të numrit të vogël të infermierëve që të kujdesen për secilin një nga një. Madje infermierët në shumicën e rasteve kryejnë vetëm dhënien e terapive dhe kryerjen e analizave, përjashto këtu pacientët e palëvizshëm që nuk  i lëvizin, nuk i pastrojnë.Madje nuk bëjnë as bartjen e pacientëve nëpër klinikat ku kryhen rentgene e CT të ndryshme e detyrimi bie mbi përcjellësit, familjarët.

Ndonëse ata “lehtësojnë” paksa punën e infermierëve, këta shoqërues do të jenë të obliguar të paguajnë nga 3 euro për çdo natë qëndrimi në Klinikat e QKUK-së.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe QKUK, të cilët kanë thënë se të gjithë përcjellësit e pacientëve mbi moshën 15 vjeçare, do ta paguajnë tri euro për natë gjatë qëndrimit në këto klinika.

“Ju informojmë se Qendra Klinike Universitare e Kosovës është duke vepruar në përputhje me dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2024, Shtojca 4, numër rendor 5. Sipas këtij udhëzimi, përcjellësit e pacientëve mbi moshën 15 vjeç janë të obliguar të paguajnë një tarifë prej 3 euro për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së”, kanë thënë nga QKUK.

Ata për lajmi.net, gjithashtu ka thënë nga kjo tarifë janë të përjashtuar pacientët me sëmundje malinje, qofshin të shtruar brenda Klinikës së Onkologjisë apo klinikave të tjera.

Në lidhje me pacientët me sëmundjet kronike, të cilët janë të detyruar shpesh të shtrohen në QKUK, kanë thënë se menaxhmenti i QKUK-së po zhvillon diskutime të brendshme dhe ndërinstitucionale lidhur me çështjen e bashkëpagesave për këtë kategori.

Lexo edhe:  Shkuan në ekskursion, nxënësit malishevas tronditen nga kushtet e “hotelit” në Shqipëri

“Qëllimi i kësaj mase është reduktimi i numrit të përcjellësve brenda klinikave, me synim përmirësimin e funksionimit normal të shërbimeve shëndetësore, ruajtjen e rendit, si dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për pacientët dhe stafin mjekësor”, kanë thënë nga QKUK.

Pavarësisht pagesës që do t’iu duhet ta bëjnë, shoqëruesit shpesh janë ankuar më parë se nuk kanë as ulëse për t’u ulur gjatë qëndrimit të tyre në QKUK, e për këtë, nga ky institucion kanë thënë se do të bëjnë zgjidhje.

“Njëkohësisht, QKUK inkurajohet të sigurojë kushte minimale për përcjellësit e pacientëve, përfshirë vende për ulje dhe hapësira të përshtatshme, veçanërisht në klinikat ku pacientët janë në trajtim post-operativ apo kërkojnë kujdes të veçantë. Theksojmë se bashkëpagesa për përcjellësit nuk zëvendëson në asnjë rrethanë kujdesin infermieror dhe shërbimet profesionale shëndetësore që u ofrohen pacientëve”, kanë thënë nga QKUK për lajmi.net.

Pas këtij vendimi nga QKUK, nëse një pacient qëndron për 10 ditë në QKUK, vetëm shoqëruesit të tij do t’i duhet të paguaj plotë 30 euro, duke e vështirësuar këtë “ndihmë” që ata i japin familjarëve të tyre të sëmurë që marrin trajtim në QKUK