Të kamufluar në një qese në oborr, parandalohet futja e dy telefonave në Qendrën e Paraburgimit
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka parandaluar futjen e kontrabandës, gjatë kontrolleve në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Gjatë inspektimit brenda perimetrit të institucionit, SHKK njofton se është gjetur një qese e dyshimtë, brenda së cilës ishin të fshehur në mënyrë të kamufluar një Samsung, një mini-telefon dhe një kabëll mbushës.
Për rastin janë njoftuar organet kompetente, ndërsa pajisjet e gjetura janë sekuestruar.
“Në të njëjtën kohë, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat. Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në forcimin e sigurisë dhe parandalimin e kontrabandës brenda institucioneve korrektuese”, thuhet në njoftim.

