Ish-deputetët Haxhi Avdyli e Adriana Matoshi të VV-së nuk morën pagën e prillit, gjeneruan të hyra tjera gjatë kësaj periudhe

Front Online nga Kuvendi i Kosovës ka siguruar të dhënat zyrtare lidhur me pagesat e realizuara për deputetët gjatë muajve mars, prill dhe maj 2025, duke sqaruar ndryshimet e bëra në bazë të verifikimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Deputetët Haxhi Avdyli dhe Adriana Matoshi nuk kanë marrë pagë kalimtare për muajin prill, pasi ATK ka konstatuar se ata kanë gjeneruar të hyra të tjera gjatë kësaj periudhe.

Këtë gjë e ka konfirmuar Kuvend i Kosovës për FrontOnline.

Po ashtu, atyre u është bërë ndalesë edhe për pagën kalimtare të realizuar në muajin mars 2025, prej datës 22 mars, duke u bazuar në të njëjtat verifikime tatimore.

Ndërkohë, ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ish-nënkryetarët e tij janë paguar për muajin prill jo vetëm me pagën bazë, por edhe për mbajtjen e funksioneve drejtuese.

Kuvendi thekson se deri më 15 prill, kryetari dhe nënkryetarët kanë vazhduar të marrin pagën e pozicioneve drejtuese, meqenëse kanë realizuar shtesën transitive që u takon deri në këtë datë. Nga 16 prilli, të njëjtit kanë kaluar në pagën standarde të deputetit.

Në raportin e siguruar nga FrontOnline, bëhet e ditur gjithashtu se, nga paga e muajit maj, ish-nënkryetarëve Enver Hoxhaj dhe Kujtim Shala u është bërë një ndalesë prej 189.94 euro secilit, pasi gjatë periudhës 15 – 19 prill nuk kanë ofruar dëshmi me shkrim që vërteton se nuk kanë gjeneruar të hyra të tjera financiare.

Kuvendi ka njoftuar se të gjitha pagesat dhe ndalesat janë bërë në përputhje me procedurat ligjore dhe verifikimet e institucioneve kompetente./Front Online

Lexo edhe:  Reduktime të energjisë elektrike për sot