Mësuesi kosovar nuk i di as muajt e vitit, ligjëron gjermanisht pa kryer shkollën

Në tabelë ka mbetur ajo që mësuesi i gjermanishtes u mësoi, por jo saktë. Kjo, për shkak se as vetë arsimtari, Zenë Qeriqi, nuk e di si shkruhen stinët në gjuhën gjermane.

Për ironi të fatit, në shkollën e Krojmirit të Lipjanit, nxënësve të klasës së gjashtë, mësuesi i historisë është caktuar të japë edhe lëndën e gjuhës gjermane, pa qenë i kualifikuar.

Në shkollën “Katër Dëshmorët” në Krojmir të Lipjanit, mësuesi Zenë Qeriqi është kthyer në një lloj “supermeni” arsimor.

Prej muajsh, ai ligjëron jo një, por katër lëndë të ndryshme: Historinë, Gjeografinë, Edukatën Qytetare dhe Gjuhën Gjermane.

Nxënësit të cilëve u mëson ankohen se arsimtari nuk është i përgatitur mirë në asnjë prej këtyre lëndëve.

Ata thonë se, sidomos në lëndën e gjermanishtes, nuk kanë arritur të mësojnë asgjë deri tani, pasi arsimtari i tyre nuk arrin ta dallojë anglishten nga gjermanishtja.

E përveç stinëve të vitit, që edhe në tabelë i shkroi gabim, të vegjlit thonë se nuk morën njohuri të tjera.

Edhe pse kanë kaluar mbi dy muaj nga fillimi i vitit shkollor, ata thonë se, në vend që të përparojnë në lëndën e gjermanishtes, po ngatërrohen gjithnjë e më shumë.

Të pyetur për lëndët e tjera, të cilat Qeriqi mendon se i përvetëson mirë, të njëjtit pohojnë se edhe në ato arsimtari nuk merr mundin të shpjegojë, por vetëm i shtyn të lexojnë.

Të pyetur se çfarë kanë mësuar deri tani në gjuhën gjermane, nxënësit shprehen se vetëm 5 fjali dhe asgjë tjetër.

Ani pse ka një barrë të madhe mbi supe dhe është përgjegjës për katër lëndë, Qeriqi gjen hapësirë edhe të mungojë me ditë në shkollë.

Lexo edhe:  Policia e Kosovës kërkon ndihmë për identifikimin e një të dyshuari për vjedhje

E përveç që nuk po u mëson asgjë, ai herë pas here edhe përdor dhunë fizike.

Dhe dhuna fizike nuk është e vetmja – ai ushtron vazhdimisht edhe dhunë psikike, duke i kërcënuar se do t’i përsërisë.

Arsimtari Zenë Qeriqi është i kualifikuar vetëm për lëndën e Historisë, ndërsa lëndën e gjuhës gjermane, në bazë të informacioneve, e ka mësuar pak, sa ka jetuar më herët në Gjermani.