Instruktorja e auto-shkollës gjobitet pasi kandidatja përdori telefonin

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndëshkuar për kundërvajtje në trafik instruktoren e një autoshkolle në Ferizaj, pasi kandidati të cilës po ia mësonte ngasjen është kapur me telefon në dorë.

Sipas njoftimit të Policisë, instruktorja mban përgjegjësi për veprimet e kandidatit gjatë ushtrimeve.

“Gjatë lëvizjes, kandidatja është kapur në flagrancë duke përdorur telefonin celular, gjë që përbën kundërvajtje sipas Ligjit Nr. 05/L-064 për Rregullat e Trafikut Rrugor, neni 54, paragrafi 2. Për shkak se instruktorja është përgjegjëse për veprimet e kandidatit gjatë ushtrimeve, ndaj saj policia ka shqiptuar gjobë në bazë të Ligjit Nr. 08/L-186, neni 231, paragrafi 9.2, në vlerë prej 200 euro, me 2 pikë negative dhe masë mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik për tre (3) muaj,” thuhet në njoftim.

Instruktorja thuhet se ka qenë e evidentuar edhe më parë për kundërvajtjen e përdorimit të telefonit, duke vepruar për herë të dytë në kundërshtim me ligjin e trafikut rrugor.

Lexo edhe:  Rrebeshe shiu e bubullima, moti për sot dhe ditët e ardhshme