Prizren: Një zyrtar policor arrestohet për dhunë familjare

IPK-ja ka arrestuar mbrëmjen e së dielës një zyrtar policor nën dyshimin për “dhunë në familje”.

Ndaj të njëjtit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

IPK-ja në komunikatë bën të ditur se i dyshuari është suspenduar nga puna.

Komunikata e plotë:

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar mbrëmë një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

IPK kishte pranuar informacione dje në orët e pasdites lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Prizren ka kryer veprën penale dhunë në familje.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar nga Policia e Kosovës me rekomandim të IPK-së.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Lexo edhe:  E kërcënuan me armë dhe thikë – hajnat e rrahin dhe i vjedhin një personi telefonin dhe paratë