Me thikë në dorë grabit marketin “Nisa Store” në Gjilan, largohet me 230 euro
Një grabitje me thikë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Gjilanit, ku një person i maskuar ka hyrë në një market dhe ka arritur të marrë para nën kërcënim.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30, në rrugën “Lufta e Gjilanit”, në “Nisa Store Sh.P.K.”.
Sipas të dhënave nga vendngjarja, një person ende i paidentifikuar, me kapele në kokë dhe thikë në dorë, ka hyrë brenda marketit dhe ka kërkuar të hollat nga arka. Punëtorja e marketit, ka deklaruar se nën kërcënimin e thikës është detyruar t’ia dorëzojë rreth 230 euro, me të cilat grabitësi është larguar me shpejtësi në drejtim të qytetit.
Njësitë e Policisë së Kosovës kanë arritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë siguruar zonën, kanë kontaktuar me viktimën dhe kanë kryer ekzaminimet në bashkëpunim me krim-teknikën.
Me urdhër të Prokurores së Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si “Grabitje”, ndërsa është aktivizuar edhe “unaza e çeliktë” për lokalizimin e të dyshuarit, i cili ndodhet ende në arrati.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorit të grabitjes.