Jashari: Do te ketë masa ndaj ekipit që hyri “gabimisht” në Veri

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka deklaruar për Albanian Post se kanë kontaktuar me ekipin e FSK-së që ka hyrë “gabimisht” në Veri dhe se për këtë janë duke përgatitur disa masa të brendshme.

“Po, kemi kontaktuar, pasi janë pjesëtarët tanë që kanë ngatërruar rrugën. Do të sqarojmë të gjithë rastin se si ka ndodhur. Sa i përket masave, këto janë procedura të brendshme, sigurisht që ne jemi angazhuar për to dhe besoj se do të arrijmë tek pikat e duhura”, deklaroi Jashari për AP.

Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të enjten kanë hyrë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut gjatë së enjtes.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Automjetet ishin të FSK-së. Ata qëndruan rreth pesë minuta në një stacion karburanti, ku policia i pa dhe i pyeti për situatën”, deklaroi Elshani, duke shtuar se “pjesëtarët e FSK-së u përgjigjën duke thënë se kishin gabuar vendndodhjen dhe menduan se ishin në Mitrovicë të Jugut”.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe tani, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Lexo edhe:  E shfaqën Sami Lushtakun me këngë serbe, Mërgimi e raporton rastin në Polici: Po prishet imazhi i familjes