Pyetet për këmishën e Xhavit Halitit, ish-këshilltari i Clark: S’po rrinim në hotele me 5 yje, mbante era luftë
John Stewart Duncan, ish-këshilltari i gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark, tha sot se Kosova ishte zonë lufte në qershorin e vitit 1999, në kohën kur ai mbërriti në Kosovë për zhvillimin e negociatave për demilitarizimin e UÇK-së.
Duncan po merret në pyetje nga prokurori i specializuar në Hagë, në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Prokurori e ballafaqoi Duncan-in me pyetje rreth një materiali me video gjatë negociatave mes zyrtarëve të NATO-s dhe krerëve të UÇK-së. Sipas dëshmisë së Duncan, të dhënë në seancën e djeshme, video tregon diskutimet e zhvilluara në dy ditë: më 17 qershor dhe më 19 qershor.
Në videon e regjistruar, megjithatë, është e stampuar vetëm data 17 qershor.
Duncan, i cili po dëshmon në Hagë si dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit, tha se pamjet janë paksa të manipuluara.
Ai u pyet pse mbante rroba të njëjta në të dyja takimet me zyrtarët e UÇK-së, si më 17 qershor, ashtu edhe më 19 qershor të vitit 1999.
“Ato ishin rrobat që vesha për negociatat. Nuk isha në shtëpi [qesh]”, tha Duncan, duke qeshur me pyetjen e prokurorit.
Tutje, prokurori insistoi se pse edhe të tjerët, përfshirë Xhavit Halitin, nuk i kishin ndërruar rrobat nga dy ditët e diskutimeve.
Edhe kësaj pyetje, Duncan iu përgjigj me buzën gaz.
“Ne ishim në zona lufte. Nuk kishim marrë shumë rroba me vete. Ndër perceptimet që ju përmenda më herët, ishte edhe era e luftës që shumica e njerëzve e kishin mbi vete. Ne nuk po udhëtonim në hotele me pesë yje, ishim në një zonë lufte – sigurisht që njerëzit po mbanin të njëjtat rroba për më shumë se një ditë rresht, ashtu siç bëra edhe unë. Pra, nuk shoh ndonjë problem të madh që njerëzit mbajnë të njëjtat rroba për disa ditë. Dhe, në fakt, kishte mundësi që rrobat të ishin larë ditën e mëparshme, më 18, ndërmjet dy diskutimeve”, tha ai.