Tre persona të maskuar tentuan të vjedhin bankomatin në Xerxë të Rahovecit, përleshen me pronarin dhe ikin me veturë pa targa

Sinjali mëson se një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 02:15 të mëngjesit të sotëm në fshatin Xerxe të Rahovecit, ku tre persona të maskuar kanë tentuar të vjedhin një bankomat të “NLB Bankës”.

Të dyshuarit, të veshur me të zeza dhe me maska në kokë, kishin arritur deri tek objekti ku ndodhej bankomati me një Opel Insignia ngjyrë hiri, pa targa. Në momentin që pronari i objektit R.Th. rreth 50-vjeçar së bashku me O.M. rreth 42-vjeçar kanë shkuar me veturën e tyre Audi A5 në vendngjarje, janë përballur me tre të maskuarit.

Njëri prej tyre ka sulmuar me një çekan duke goditur Audi-n, ndërsa më pas të tre kanë hipur në Opel dhe kanë ikur me shpejtësi, duke e goditur sërish veturën e viktimave.

Sipas viktimave, dy nga të dyshuarit dyshohet se mbanin armë të shkurta. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar, por është shkaktuar dëme materiale në bankomat dhe në veturë, vlera e të cilave ende nuk dihet.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë forenzikët e Policisë së Rahovecit, ndërsa me urdhër të Prokurorit kujdestar është hapur rasti për “Vjedhje të rëndë në tentativë” dhe “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”. Hetimet janë duke vazhduar.

Lexo edhe:  Ky është njëri nga të arrestuarit në lokalin “Che Bar” në Prishtinë