Vrasja e 19-vjeçarit në Vushtrri, ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarit
Një vrasje e rëndë pati ndodhur në mars të këtij viti, ku 19-vjeçari, Bleron Dibrani pati vrarë me armë zjarri bashkëmoshatarin e tij me inicialet A.Z.
Rasti pati ndodhur në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj Bleron Dibranit për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
“I pandehuri akuzohet se me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, me dashje e ka privuar nga jeta viktimën A.Z., duke e gjuajtur dhe goditur viktimën tri (3) herë në trup. Viktima A.Z., si pasojë e plagëve të shumëfishta të shkaktuara nga predhat e hedhura nga arma e zjarrit pëson dëmtime të rënda në mushkëri dhe mëlçi duke i sjellë gjakderdhje masive dhe pamjaftueshmëri të menjëhershme respiratorë, i njëjti ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë, po ashtu nga të shtënat nga arma e zjarrit e të pandehurit në rrugë publike vihet në rrezik edhe jeta e personave tjerë”, ka njoftuar Prokuroria përmes një komunikate për media.
Sipas Prokurorisë, gjatë arrestimit, Bleron Dibranit i është gjetur dhe sekuestruar arma me të cilën është kryer vepra penale, dhe e cila ka qenë në posedim në kundërshtim me Ligjin Nr.05/L -022 për Armë.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin t`a shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe t`a dënojë sipas ligjit”, ka njoftuar Prokuroria.