Stil “komunist”: RTK i largon nga emisionet drejtuese gazetarët me të cilët s’është i kënaqur pushteti
një grup gazetarësh të RTK-së kanë reaguar publikisht ndaj vendimit për përjashtimin e tyre nga moderimi i emisioneve, duke e cilësuar atë si arbitrar dhe të paligjshëm.
Në reagimin e nënshkruar nga Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, thuhet se të premten, në fund të orarit të punës, ata kanë marrë një njoftim të paparalajmëruar për përjashtimin nga drejtimi i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00.
Gazetarët thonë se ky vendim është pjesë e një tendence të qartë për censurë, duke përmendur edhe rastet e mëparshme të heqjes së emisioneve informative, sidomos kur në studio kanë qenë të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi pas ballafaqimeve profesionale.
Ata e konsiderojnë vendimin të paligjshëm, pasi ndryshimet në skemën programore mund të bëhen vetëm nga Bordi i RTK-së, i cili aktualisht nuk funksionon.
“Vendimi i fundit arbitrar ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik. Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend”, thuhet në reagim.
Gazetarët paralajmërojnë ndjekje të të gjitha rrugëve ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, ndërsa shprehen se do të vazhdojnë të punojnë “të panënshtruar, në mënyrë objektive dhe profesionale”.