Kjo është kompania dhe shoferi që tentuan kontrabandimin e 18 migrantëve të paligjshëm në Jarinjë

Policia e Kosovës ndaloi një tentim kontrabande me migrantë të paligjshëm në kufirin Kosovë–Serbi.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ndodhi më 24 gusht 2025, kur Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë ndaloi një autobus të kompanisë “Joe Travel”, i cili operonte në linjën Mitrovicë–Beograd.

Gjatë kontrollit, në katin e parë u gjetën vetëm 8 pasagjerë të rregullt, ndërsa në katin e dytë u zbuluan 18 migrantë të paligjshëm, të paregjistruar në listën zyrtare të udhëtarëve.

Të dyshuar për këtë tentim kontrabande janë pronari i agjencisë dhe shoferi i autobusit, Branislav Djurgjević, të cilët sipas hetimeve fillestare dyshohet se ishin të përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e transportit të migrantëve.

Në mesin e personave të ndaluar ishin:
• 5 shtetas palestinez, që kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze,
• 6 shtetas nga Bangladeshi, me viza pune, por me vendim largimi nga Kosova,
• 7 shtetas egjiptian, që kishin hyrë nga Shqipëria dhe synonin kalimin në Serbi e më tej në BE.

Shoferi dhe pronari i agjencisë janë shoqëruar në stacion policor, ku pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, ndaj tyre është shqiptuar masa e mbajtjes.

Ndërkohë, migrantët janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj.

Policia e Kosovës ka theksuar se ky operacion është dëshmi e përkushtimit për të luftuar migrimin e paligjshëm dhe kontrabandën me njerëz.

Lexo edhe:  Gjakovari kapet mat me armaturë të vjedhur, e përdori karrocën e ‘Super Viva-s’ për bartje