Mjeku nga Gaza kritikon ashpër Erdoganin: Na mashtruat me fjalët tuaja, as një shishe ujë nuk e dërguat

Dr. Sahr Hamad, një mjek palestinez në Gaza, deklaroi në një letër drejtuar Presidentit Erdogan se Turqia heshtte përballë masakrës dhe rrethimit në Gaza, duke thënë: “Ne u mashtruam nga fjalët tuaja”.

Mjeku palestinez Dr. Sahr Hamad, i cili punon në veri të Rripit të Gazës, i ka dërguar një letër Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Këtë letër, Dr. Hamad e ndau përmes gazetarit nga Gaza, Mohammed AbuTaqiya. Sipas lajmit të gazetarit Feyzanur Çalkoğlu të gazetës Karar, në këtë letër Dr. Hamad ka shprehur pakënaqësitë e tij ndaj heshtjes së Turqisë përballë shkatërrimit dhe rrethimit në Gaza.

Letra fillon me shprehjen

“Bismilahirrahmanirrahim” dhe ajetin nga Surja Teube: “Thuaj: Punoni! Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do t’i shohin veprat tuaja” (Teube, 105).

Në letrën e tij drejtuar Presidentit Erdoğan, Dr. Hamad theksoi se në të kaluarën e kanë parë Turqinë në krah të të shtypurve, por gjatë masakrave në Gaza ata u lanë të vetëm, duke përdorur këto fjalë:

“I nderuar President, ju deshëm, gjithmonë u lutëm për fitoren tuaj, dëshiruam që ju të ngrinit lart flamurin e së drejtës, ju pamë pranë të shtypurve, por… në momentin më të vështirë të Gazës – të paktën me heshtjen tuaj e me mosveprimin tuaj – pamë që Turqia u tërhoq, dhe kjo na lëndoi thellë.”

“AS NJË SHISHE UJË NUK NA E DËRGUAT”

Dr. Hamad, duke argumentuar se përpjekjet diplomatike ndërkombëtare kanë dështuar, pyeti: “Ju thoni se respektoni ligjin ndërkombëtar, por ku është ligji i Allahut? Ku është e drejta profetike? Ku është sunneti i Profetit?”

Ai theksoi se Gaza është nën sulm dhe bllokadë të rëndë për më shumë se 600 ditë, duke përshkruar shkatërrimin humanitar me këto fjalë:

Lexo edhe:  Gjykata e Hagës ia ndalon të drejtën Fahri Fazliut ta takojë të atin

“Janë dhënë mijëra dëshmorë, dhjetëra mijëra të plagosur. Një popull po zhduket mes zjarrit, urisë dhe rrethimit. Betohem në Allah, i nderuar President, nuk kërkuam ndihmë ushtarake nga ju, nuk kërkuam mbështetje ushtarake, vetëm ujë, ushqim dhe një korridor të vërtetë ndihme kërkuam. Por, ndërsa zullumqarët dërgonin të gjitha armët e tyre, ju nuk arritët të na sillnit as një shishe ujë, as një copë bukë.”