Murati ia kthen Tahirit: Pensionet për kategoritë e luftës ne i rritëm me 20%, kur udhëhoqët ju u rritën 0%

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, pasi ai deklaroi se s’mund ta votojnë për kryeparlamentar dikë që i ka lënë jashtë pagës minimale veteranët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e UÇK-së.

Murati tha se derisa udhëhoqi me këtë ministri pensionet për kategoritë e luftës janë rritur për së paku 20% dhe tha se gjatë qeverisjes së PDK-së ishte fshirë neni i një ligji që e lidhte pensionin e veteranit me pagën minimale.

“Herën e fundit kur PDK ka qeverisur me vendin, me koalicionin PAN gjatë 2017–2020, pensionet për veteranët, familjet e dëshmorëve, dhe invalidët e luftës janë rritur 0 euro. Herën e parafundit kur PDK ka qeverisur me vendin, në koalicion me LDK gjatë 2014-2017, e kishte fshirë nenin 18 të ligjit që e lidhte pensionin e veteranit me pagën minimale. Kjo kërkesë kishte ardhur nga FMN-ja, pasi listat e veteranëve kishin filluar të mbusheshin edhe me ata që nuk i plotësonin kriteret, dhe kjo rrezikonte eskalim të kostos deri aty sa mund ta rrezikonte stabilitetin financiar. Ndërkaq pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës asnjëherë s’kanë qenë të lidhura me pagën minimale, por kjo e dëshmon se sa pak din Abelard Tahiri për këtë temë”, ka shkruar Murati.

Ai tha se gjatë kohës së tij si ministër është “katërfishuar buxheti i FSK-së, duke arritur për herë të parë të përmbushim kriterin e NATO-s prej 2% të BPV-së”.

“Këto janë faktet”.

Tahiri më hërët tha se Murati i ka lënë jashtë pagës minimale tri kategoritë më të lavdishme të shoqërisë sonë: Veteranët e UÇK-së; Familjet e Dëshmorëve;  Invalidët e UÇK-së.

“Paga minimale është minimumi i të ardhurave me të cilat një familje mund të mbijetojë, pra edhe prej kësaj i ka përjashtuar. Kjo është trashëgimia e tij si ministër – një njollë që do ta turpërojë gjithë jetën. Si mund të votohet një i tillë për Kryetar të Kuvendit të Kosovës?”.

Lexo edhe:  “Oh ç’ma këpute shpirt e zemër”, babai i të riut nga Podujeva përlot me postimin prekës për të birin

Murati ia kthen Tahirit: Pensionet për kategoritë e luftës ne i rritëm me 20%, kur udhëhoqët ju u rritën 0%